Zbuten tensionet? – Irani lejon kalimin e anijeve të huaja në Ngushticën e Hormuzit

Irani ka sinjalizuar hapje për lundrimin ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se anijet e huaja mund të kalojnë përmes kësaj rruge strategjike, nëse respektohen marrëveshjet e sigurisë me Teheranin.

Deklarata u bë nga Ali Mousavi, përfaqësues i Iranit në Organizatën Ndërkombëtare Detare, i cili theksoi gatishmërinë e vendit për të bashkëpunuar në garantimin e sigurisë në Gjirin Persik dhe mbrojtjen e marinarëve.

Sipas tij, ngushtica mbetet e hapur për lundrim, me përjashtim të anijeve që konsiderohen të lidhura me “armiqtë e Iranit”, ndërsa kalimi kërkon koordinim paraprak me autoritetet iraniane.

Mousavi theksoi se respektimi i detyrimeve ndërkombëtare duhet të shoqërohet me njohjen e integritetit territorial dhe të drejtave të Iranit, duke shtuar se diplomacia mbetet prioritet.

Ai fajësoi gjithashtu Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përshkallëzimin e situatës, duke i cilësuar sulmet e tyre si shkakun kryesor të tensioneve në këtë korridor kyç të energjisë globale.