Irani ka nisur një valë të re sulmesh ndaj vendeve të Gjirit Persik, ndërsa sirenat e alarmit për raketa janë dëgjuar herët këtë mëngjes në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Bahrein, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve saudite, Arabia Saudite ka arritur të shkatërrojë dy dronë mbi rajonin e saj lindor, një zonë e pasur me naftë dhe me rëndësi strategjike për ekonominë globale. Ndërkohë, Garda Kombëtare e Kuvajtit bëri të ditur se ka rrëzuar gjashtë dronë që hynë në hapësirën ajrore të vendit.
Përveç raketave dhe dronëve të drejtuar drejt Izraelit dhe bazave amerikane në rajon, Irani ka goditur edhe infrastrukturën energjetike të vendeve fqinje që nga fillimi i luftës më 28 shkurt. Këto zhvillime, të kombinuara me kontrollin që Teherani ushtron mbi Ngushticën e Hormuzit, kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve globale të naftës.
Ndërkohë, përshkallëzimi i konfliktit ka përfshirë edhe aktorë të tjerë në rajon. Izraeli ka ndërmarrë sulme të shumta në fillim të marsit kundër grupit militant pro-iranian Hezbollah në Liban, pasi ky i fundit kishte lëshuar raketa drejt territorit izraelit.
Po ashtu, milicitë pro-iraniane në Irak kanë intensifikuar sulmet ndaj bazave amerikane. Herët këtë mëngjes, një njësi e Forcave të Mobilizimit Popullor në qytetin Kirkuk u godit nga një sulm ajror, duke lënë të paktën pesë militantë të vrarë dhe katër të plagosur, sipas zyrtarëve lokalë që folën në kushte anonimiteti. Ende nuk dihet se kush qëndron pas këtij sulmi.
Bilanci i viktimave nga fillimi i luftës mbetet i rëndë: të paktën 1,230 persona janë vrarë në Iran, 397 në Liban dhe 11 në Izrael, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten.









