Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vlerësuar publikisht kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, duke e cilësuar atë si një “udhëheqëse të shkëlqyer” dhe një aleate të fortë të Uashingtonit.
Sipas raportimeve të Sky News, Trump deklaroi se Italia po bën gjithçka për të mbështetur SHBA-në dhe Izraelin në përballjen me Iranin.
“E dua Italinë. Mendoj se ajo është një udhëheqëse e shkëlqyer. Ajo gjithmonë përpiqet të ndihmojë dhe është një mike e imja”, u shpreh Trump për Melonin.
Deklarata e presidentit amerikan vjen në një moment tensioni ndërkombëtar, pasi ai kritikoi më herët kryeministrin britanik Keir Starmer në platformën Truth Social, duke thënë se “nuk kemi nevojë për njerëz që bashkohen në luftëra pasi kemi fituar tashmë”.
Ndërkohë, Meloni ka bërë të ditur se Italia po planifikon të dërgojë sisteme të mbrojtjes ajrore në vendet e Gjirit. Gjithashtu, një anije e marinës italiane pritet të lundrojë drejt Qipros si pjesë e një misioni evropian për mbrojtjen e ishullit pas sulmeve të fundit iraniane.









