Një sondazh i publikuar së fundmi nga L’Espresso tregon se cilët udhëheqës botërorë gëzojnë më shumë besimin e qytetarëve italianë. Në krye të listës është kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i ndjekur nga Emmanuel Macron, Ursula von der Leyen dhe liderë të tjerë europianë.
Në mesin e politikanëve më të besuar, italianët kanë renditur edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili ndan të njëjtin nivel besimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke arritur 29% mbështetje nga të anketuarit. Ky rezultat e vendos Ramën përpara liderëve si Donald Trump dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, të cilët morën mbështetje më të ulët, nga 27% deri në 14%.
Në fund të klasifikimit janë presidenti kinez Xi Jinping (12%), presidenti rus Vladimir Putin (10%) dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan (8%).
Sipas sondazhit, faktorë që kanë rritur popullaritetin e Sanchez përfshijnë politikat progresiste në punë dhe emigracion, qëndrimin e qeverisë ndaj SHBA-së dhe refuzimin për të rritur shpenzimet ushtarake pavarësisht kërcënimeve të Trump-it.
Sondazhi u realizua nga Youtrend me metodologjinë CAWI, midis 27-29 janarit 2026, mbi një kampion prej 1,000 të anketuarish që përfaqësojnë popullsinë e rritur në Itali.









