SHBA dëshiron një udhëheqës që sjell “harmoni dhe paqe” në vend – Trump: Duhet të përfshihem personalisht në zgjedhjen e liderit të ardhshëm të Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja duhet të luajë një rol aktiv në zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm të Iranit, në një intervistë për Axios ndërsa kriza ushtarake në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet. Trump argumentoi se zgjedhja e një lideri “të pranueshëm” për Uashingtonin është thelbësore dhe se ai personalisht duhet të jetë i përfshirë në proces, duke e krahasuar situatën me rolin e tij në emërimin e udhëheqësit të Venezuelës pas ndryshimeve politike atje. 

Ai i bëri të qartë refuzimin e kandidaturës së Mojtaba Khameneit, djali i udhëheqësit të vrarë të Iranit, duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe duke shtuar se SHBA-ja dëshiron një udhëheqës që sjell “harmoni dhe paqe” në vend. Trump tha se ai duhet të jetë i përfshirë në emërime, një objektiv që e lidhi edhe me përvojat e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë. 

Ky qëndrim vjen ndërsa Irani ende nuk ka shpallur zyrtarisht pasardhësin e udhëheqësit suprem të vrarë dhe zgjedhja e liderit të ri mbetet e paqartë, duke shtuar tensionet ndërkombëtare në një moment kritik për sigurinë rajonale.