MotoGP po shqyrton disa opsione për Çmimin e Madh të Katarit, i cili ishte planifikuar të zhvillohej nga 10 deri më 12 prill, për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme si pasojë e luftës në Iran dhe ndikimeve në rajon. Qëllimi kryesor mbetet që gara të zhvillohet sipas planit, por situata aktuale e bën këtë shumë të vështirë. Në të njëjtën kohë, FIA ka shtyrë pa afat garën e Kampionatit Botëror të Qëndrueshmërisë, World Endurance Championship (WEC), që ishte planifikuar të mbahej disa javë më parë.
CEO i MotoGP-së, Carmelo Ezpeleta, gjatë një eventi me kampionët e vitit 2025, Mark Markez, Diogo Moreira dhe Hoze Antonio Rueda, deklaroi se organizatorët kanë një plan B dhe po mbajnë kontakte të vazhdueshme me autoritetet e Katarit. Ai shtoi se është shumë e vështirë të sigurohet zhvillimi i garës më 12 prill, por nuk mund të konfirmojë asnjë anulim për momentin.
Drejtuesi i kampionatit po shqyrton mundësinë e riorganizimit të kalendarit, përfshirë mundësinë që gara të zhvendoset në fund të sezonit. Një vendim i tillë do të çonte në një ngjeshje të garave më vonë, por sipas Ezpeleta, MotoGP ka eksperiencë në përshtatjen e kalendarëve dhe një vendim pritet të njoftohet së shpejti.









