Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka propozuar në Kuvend amendamente kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e presidentit përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin, kam proceduar amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës që në vitin 2011,” shkroi Osmani në Facebook.
Ajo bëri thirrje që të gjitha partitë politike t’i mbështesin këto ndryshime dhe theksoi: “Tash e tutje, le të flasë populli.”
Ky hap vjen pas dështimit të partive politike për të arritur një marrëveshje për një president konsensual, dhe pasi Osmani nuk mori mbështetjen e nevojshme për një mandat të dytë. Aktualisht, Kushtetuta e Kosovës parashikon që presidenti zgjidhet nga Kuvendi përmes votimit të fshehtë të deputetëve.










