Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kandidati për president, Glauk Konjufca, i bënë të enjten një thirrje opozitës që të propozojë një kandidaturë të dytë për postin e presidentit, në mënyrë që të respektohet afati kushtetues dhe të sigurohet garë.
Kurti bëri deklaratën pas mbledhjes solemne të Qeverisë për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se shpreson që në ditën e fundit të afatit të paraqitet një kandidat tjetër. “Pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë, besojmë, shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë, në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë,” tha ai.
Aktualisht, i vetmi kandidat zyrtar mbetet Glauk Konjufca, i cili shërben si zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ai gjithashtu shtoi se do të ishte mirë që opozita të paraqiste një kundërkandidat për të siguruar një proces demokratik dhe të balancuar për zgjedhjen e presidentit të ri.









