Arratisje luksi nga Dubai – Të pasurit paguajnë deri 200 mijë dollarë për t’u larguar familjarisht nga lufta

Të pasurit në Dubai po kërkojnë me çdo kusht të largohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe, mes tensioneve të forta në rajon dhe mbylljes së pjesshme të hapësirës ajrore pas sulmeve iraniane. Kërkesa për avionë privatë ka shpërthyer, ndërsa çmimet kanë arritur nivele rekord.

Sipas mediave ndërkombëtare, disa familje kanë paguar qindra mijëra dollarë për t’u transportuar fillimisht drejt Oman e më pas në destinacione të sigurta në Europë. Një shtetase turke, e identifikuar si Evrim, tha se bashkë me familjen pagoi 200 mijë dollarë për të fluturuar nga Omani drejt Gjenevë. “Kur pamë zjarrin, e kuptuam se ishte koha për t’u larguar”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, disa qeveri të huaja kanë nisur avionë për evakuimin e qytetarëve të tyre, por fluturimet komerciale janë të pakta dhe vendet rezervohen brenda minutash. Për shtresën e mesme dhe emigrantët, largimi është bërë thuajse i pamundur për shkak të çmimeve të papërballueshme.

Glenn Phillips nga kompania Air Charter Service deklaroi se kërkesa për avionë privatë është rritur ndjeshëm, ndërsa mungesa e mjeteve dhe pasiguria nga sulmet e herëpashershme kanë krijuar vonesa të gjata në aeroporte dhe në kufi.

Sipas autoriteteve, Emiratet e Bashkuara Arabe janë goditur nga qindra dronë dhe raketa gjatë përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së. Në një deklaratë të fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe theksuan se nuk janë palë në luftë dhe do të fokusohen vetëm në mbrojtjen e territorit të tyre, duke bërë thirrje për de-përshkallëzim të situatës.