Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka detyruar SHBA-të të ndërmarrin masa emergjente diplomatike, duke mbyllur dy ambasada dhe duke reduktuar praninë konsullore në disa vende të rajonit.
Sipas raportimit të CNN, Ambasada Amerikane në Arabia Saudite është mbyllur pasi objekti u godit nga dy dronë që dyshohet se janë lëshuar nga Irani.
Ndërkohë, edhe ambasada amerikane në Kuvajt ka pezulluar aktivitetin “deri në njoftim të mëtejshëm”. Më herët, Departamenti i Shtetit i SHBA-së urdhëroi largimin e personelit qeveritar nga Kuvajti. Pamje të publikuara nga Reuters treguan tym që ngrihej pranë zonës së ambasadës amerikane.
Thirrje urgjente për qytetarët amerikanë
Departamenti i Shtetit u ka kërkuar shtetasve amerikanë të largohen menjëherë nga 14 vende të rajonit për shkak të “rreziqeve serioze të sigurisë”.
Gjithashtu është urdhëruar evakuimi i personelit qeveritar amerikan dhe familjarëve të tyre nga:
- Jordani
- Bahreini
- Katari
- Iraku
- Emiratet e Bashkuara Arabe
Masat e fundit sinjalizojnë një nivel të lartë shqetësimi për sigurinë e personelit diplomatik amerikan, ndërsa situata në rajon mbetet e paqëndrueshme dhe me rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm.









