MERKATO/ Goditje e madhe në horizont e “zikaltërve” – Leon Goretzka mund t’i bashkohet Interit falas

E ardhmja e mesfushorit gjerman Leon Goretzka pritet të jetë një nga çështjet më të nxehta të merkatos së verës. Kontrata e tij me Bayern Munich përfundon në qershor dhe, sipas raportimeve, lojtari nuk ka ndërmend ta rinovojë, duke u kthyer kështu në një mundësi të artë për klubet që kërkojnë përforcime cilësore pa kosto kartoni.

Mes skuadrave të interesuara spikat Interi, që po monitoron situatën për të përfituar nga transferimi me parametra zero. Një lëvizje e tillë do të sillte ndryshime të rëndësishme në mesfushën zikaltër, duke shtuar eksperiencë, forcë fizike dhe cilësi në repartin qendror.

Megjithatë, konkurrenca është e fortë. Në garë për shërbimet e tij përmenden edhe Arsenal, si dhe rivalet italiane AC Milan, Juventus dhe Napoli.

Sa i përket aspektit financiar, paga e parashikuar për Goretzkën llogaritet rreth 6–6.5 milionë euro në sezon. Nëse arrihet marrëveshja, ai do të përbënte një përforcim strategjik për ambiciet e Interit, si në Serie A ashtu edhe në arenën evropiane.