INJORIMI/ Albin Kurti lë jashtë garës Vjosa Osmanin – Glauk Konjufca: Konsensus vetëm nga familja Adem Jashari

Pak ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri, Lëvizja Vetëvendosje duket se ka përjashtuar përfundimisht nga gara presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, deklaroi për mediat se deri më tani i vetmi emër që do të kishte konsensus të gjerë në shoqërinë kosovare do të ishte një përfaqësues nga familja Jashari.

“Deri tani të vetmit emra që kanë konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga familja e nderuar Jashari”, u shpreh Konjufca, pa dhënë detaje se për cilin prej anëtarëve të kësaj familjeje bëhet fjalë.

Sipas Kushtetutës, për të shmangur shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, deputetët duhet të zgjedhin presidentin e ri jo më larg se 4 marsi. Megjithatë, edhe pas takimeve ndërpartiake, ende nuk ka një kandidat zyrtar që gëzon mbështetjen e nevojshme.

Nga zhvillimet e fundit është bërë e qartë se asnjë prej partive parlamentare nuk i ka dalë hapur në mbështetje Vjosa Osmanit për një mandat të dytë, përfshirë edhe Vetëvendosjen.

Albin Kurti deklaroi të hënën se nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë kandidat, duke përmendur mungesën e votave të mjaftueshme. Nga ana tjetër, analistët politikë vlerësojnë se kreu i qeverisë synon një figurë që nuk do ta sfidojë në planin ndërkombëtar.

Ndërkohë, përveç Osmanit që synon rizgjedhjen, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe Ramush Haradinaj, i cili së fundmi dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë së tij. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka arritur të sigurojë 30 nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të hyrë zyrtarisht në garë.