Arrestohen dy shoferët – përplasën për vdekje 7-vjeçarin në Tiranë dhe u larguan nga vendi i ngjarjes

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy drejtues mjetesh të dyshuar si të përfshirë në aksidentin tragjik të ndodhur paraditen e sotme në rrugën “Kastriotët”, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar.

Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e qarkullimit rrugor, pas hetimeve të menjëhershme, identifikuan dhe arrestuan shtetasit T. Sh., 55 vjeç, dhe V. K., 42 vjeçe. Nga veprimet paraprake rezulton se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga mjeti i drejtuar nga 42-vjeçarja.

Të dy drejtuesit janë larguar nga vendi i aksidentit pas përplasjes. Sipas policisë, 55-vjeçari ka transportuar fëmijën drejt spitalit, por gjatë veprimeve hetimore ka tentuar të mohojë dijeninë mbi rrethanat e ngjarjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:20, ndërsa i mituri, për shkak të plagëve të marra, ndërroi jetë në spital. Dy automjetet e përfshira janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.

Njoftimi i policisë: 

Identifikohen dhe vihen në pranga drejtuesit e 2 automjeteve të përfshira në këtë aksident.

Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.

Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.

Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.

Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.

Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.