PARALAJMERIMI/ Bllokimi i naftës ruse për Sllovakinë – kryeministri Fico kërcënon Ukrainën me ndërprerje të energjisë elektrike

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka paralajmëruar se do të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Ukrainën nëse Kievi nuk ndërmerr hapa brenda dy ditësh për të rifilluar pompimin e naftës ruse drejt Sllovakisë përmes territorit ukrainas.

Sllovakia, së bashku me Hungaria, është ndër dy vendet e vetme të Bashkimit Evropian që vazhdojnë të mbështeten në sasi të konsiderueshme të naftës ruse që transportohet përmes tubacionit Druzhba, i ndërtuar në epokën sovjetike dhe që kalon nëpër Ukrainë. Të dyja vendet kanë mbajtur qëndrime më të rezervuara ndaj linjës së përgjithshme pro-ukrainase të BE-së.

Furnizimi me naftë përmes tubacionit Druzhba është ndërprerë që nga 27 janari. Autoritetet në Kiev kanë deklaruar se ndërprerja erdhi pas një sulmi me dron rus që dëmtoi pajisje të tubacionit në Ukrainën Perëndimore. Gjatë ditëve të fundit, Bratislava dhe Budapesti kanë shtuar presionin për rifillimin e tranzitit.

Ndërkohë, Sllovakia është një nga furnizuesit kryesorë të energjisë elektrike për Ukrainën, e cila përballet me dëmtime të rënda në rrjetin energjetik si pasojë e sulmeve ruse. Sipas ekspertëve të sektorit, Sllovakia mbuloi rreth 18% të importeve rekord të energjisë elektrike të Ukrainës muajin e kaluar.

Në një postim në platformën X, Fico deklaroi se nëse furnizimet me naftë nuk rifillojnë deri të hënën, do t’i kërkojë kompanisë shtetërore SEPS të ndalojë furnizimet emergjente me energji elektrike për Ukrainën.

Nga ana tjetër, Ukraina ka propozuar rrugë alternative për transportin e naftës drejt Evropës, përfshirë përdorimin e sistemit të saj të brendshëm të transportit ose rrugë detare. Në një komunikim drejtuar BE-së, misioni ukrainas ka përmendur edhe mundësinë e përdorimit të tubacionit Odesa-Brody, që lidh portin e Odesës në Detin e Zi me rrjetin evropian.

Autoritetet ukrainase kanë theksuar se mbeten të gatshme të sigurojnë transportin e naftës brenda kuadrit ligjor në fuqi, ndërsa punimet për riparimin e dëmeve në tubacion vazhdojnë.