Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi pas vendimit të Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara, e cila shpalli të paligjshme një pjesë të tarifave tregtare të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump në bazë të një ligji për emergjenca ekonomike.
Duke folur për mediat, Macron theksoi rëndësinë e ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit në një demokraci. “Është mirë të kesh një Gjykatë Supreme dhe, për rrjedhojë, sundim të ligjit”, u shpreh ai, duke shtuar se “është e rëndësishme të ketë pushtet dhe kundërpesha ndaj pushtetit në një demokraci”.
Vendimi i gjykatës amerikane arsyeton se fuqia emergjente mbi të cilën u mbështet Trump për të vendosur tarifat “nuk mjafton” për të justifikuar përmasën dhe qëllimin e tyre. Sipas gjykatës, kjo përbën shkelje të balancës kushtetuese mes pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ në SHBA.
Si pasojë e këtij vendimi, shumica e tarifave të vendosura në bazë të ligjit emergjent mund të konsiderohen të paligjshme, ndërsa kompanitë që i kanë paguar ato mund të kërkojnë rimbursim për periudhën kur kanë qenë në fuqi.
Macron komentoi gjithashtu tarifën e re globale prej 10% të shpallur nga Trump, duke bërë të ditur se Franca do të analizojë pasojat. Ai theksoi se Parisi synon të vijojë eksportet drejt tregut amerikan, përfshirë produktet bujqësore, mallrat e luksit, modën dhe industrinë aeronautike.
Presidenti francez apeloi për qetësi dhe gjakftohtësi në trajtimin e situatës, duke theksuar se përgjigjja e duhur ndaj masave të njëanshme duhet të bazohet në parimin e reciprocitetit, dhe jo në nënshtrim.









