Rama në tryezë me drejtuesit e Këshillit Atlantik në Uashington – prezente edhe shefja e SHISH, Hyseni dhe ish-ambasadori i SHBA në Beograd, Hill

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Uashington me drejtues të Atlantic Council, një prej think-tank-eve më me ndikim në SHBA për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Në tryezë, Rama ishte i ulur mes Frederick Kempe, president dhe drejtor ekzekutiv i Atlantic Council, dhe Jorn Fleck, zv.drejtor i Qendrës Europiane në këtë organizatë.

Sipas postimit të kryeministrit në rrjetet sociale, në takim u diskutua për profilin ndërkombëtar të Shqipërisë, pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, konfliktet e hapura në rajon si dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

Nga fotografitë e publikuara bie në sy prezenca e shefes së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe e ish-ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher R. Hill, i cili shërbeu në Beograd deri në janar 2025. Prania e Hill në tryezë shihet si sinjal i diskutimeve që mund të kenë prekur edhe marrëdhëniet Kosovë–Serbi dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Rama e cilësoi tryezën si një forum me interes të lartë për Shqipërinë dhe rolin e saj në skenën ndërkombëtare, duke theksuar se diskutimet u përqendruan në çështje strategjike dhe perspektivën europiane të rajonit.