Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në Tiranë, ku një 32-vjeçar humbi jetën pas një konflikti që përfundoi me përdorimin e thikave. Viktima është identifikuar si Egli Pashollari.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në rrugën “Kongresi i Lushnjes”. Dyshohet se Pashollari është përfshirë në një debat me disa persona të tjerë, i cili ka degraduar në përleshje fizike dhe më pas në përdorimin e mjeteve prerëse. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje, pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës.
Nga pamjet në vendngjarje shihet gjak në trotuar dhe në afërsi të lokalit ku ndodhi përplasja.

Sipas raportimeve mediatike, Pashollari ka shërbyer më herët si gardist në Policinë e Burgjeve. Emri i tij është përmendur vite më parë në media për një rast të dyshuar të futjes së pijeve alkoolike në ambientet e burgut për të dënuarin Emiljano Shullazi, si dhe për çështje të lidhura me narkotikët në vitin 2017.Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar të detajuar nga autoritetet, ndërsa priten informacione të tjera në vijim.









