Ambasada e Kosovës në Uashington ka konfirmuar se shteti i Arizonës ka njohur zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Në një reagim, ambasada falenderoi Guvernatoren Katie Hobbs për vendimin, duke e cilësuar si një njohje të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan në këtë shtet.
Sipas njoftimit të Zyrës së Guvernatores, Arizona është “i nderuar të qëndrojë pranë shqiptarëve-amerikanë për të përkujtuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, një moment historik i mbështetur në parimet e sovranitetit dhe vetëvendosjes”.
Vendimi gjithashtu vlerëson rolin aktiv të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili “vazhdojnë të formësojnë strukturën e larmishme shoqërore dhe ekonomike të Arizonës”.
Në përfundim, Guvernatorja Hobbs shpalli 17 shkurtin 2026 si Dita e Pavarësisë së Kosovës në Arizona, duke riafirmuar mbështetjen e shtetit ndaj vlerave të lirisë dhe pavarësisë.










