Një i burgosur me origjinë shqiptare është dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi, pasi u shpall fajtor për vrasjen e një të burgosuri me origjinë pakistaneze brenda ambienteve të paraburgimit në Hanias.
Ngjarja ndodhi më 20 korrik 2019, kur në qeli shpërtheu një përleshje mes dy grupeve të të burgosurve. Nga incidenti mbetën të plagosur tre persona, ndërsa një prej tyre – shtetasi pakistanez – u godit me një mjet prerës të improvizuar. Sipas pamjeve filmike të administruara në gjykatë, autori i goditjes fatale ishte i pandehuri shqiptar.
I plagosuri u transportua me urgjencë në Spitalin e Hanias, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, por ndërroi jetë në Njësinë e Kujdesit Intensiv për shkak të plagëve të marra.
Çështja u shqyrtua nga Gjykata e Apelit me Juri të Përzier në Kretë, e cila unanimisht e shpalli të akuzuarin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qartë psikologjike dhe në bashkëpunim. Si rrjedhojë, ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, tre të pandehur të tjerë u shpallën të pafajshëm për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme që do të vërtetonin përfshirjen e tyre në aktin e rëndë.









