HETIMI/ “Tirana ka vajza të jashtëzakonshme” – KiE i heq imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm Jagland; i përfshirë në dosjen Epstein

Këshilli i Evropës ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese të autoriteteve norvegjeze, të cilat kanë nisur hetime për korrupsion në lidhje me raportet e tij me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Vendimi u mor unanimisht nga Komiteti i Ministrave të KiE-së dhe i hap rrugë ndjekjes ligjore ndaj ish-zyrtarit të lartë. Sipas njoftimit zyrtar, masa vjen pas zbulimeve mediatike që prej nëntorit 2025, që e lidhin Jagland me Epstein.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe mediat ndërkombëtare tregojnë se Jagland kishte korrespondencë me Epstein, përfshirë diskutime për vizita në Tiranë dhe për kontakte me figura të larta politike, si Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Nuk është e qartë nëse ndonjë prej kontakteve u realizua.

Agjencia norvegjeze kundër krimit ekonomik, Økokrim, kishte kërkuar heqjen e imunitetit për të vijuar hetimet për korrupsion, dhe me vendimin e fundit të KiE-së, Jagland nuk ka më mbrojtje nga ndjekja penale.