Medalje Argjendi për Shqipërinë – Lanika Rexhepi nënkampione në Europianin e Karatesë

Shqipëria vijon të shkëlqejë në Kampionatin Europian të Karatesë në Limasol të Qipros, duke siguruar medaljen e dytë në këtë aktivitet madhor. Protagoniste ishte Lanika Rexhepi, e cila u shpall nënkampione e Europës në kategorinë Cadet +61 kg.

Karateistja nga Kosova, që garon për ngjyrat kuqezi, zhvilloi një rrugëtim mbresëlënës drejt finales. Ajo dominoi duelet njëra pas tjetrës: 8-0 ndaj Malit të Zi, 8-0 ndaj Gjeorgjisë, 6-1 kundër Francës dhe 3-0 përballë Italisë, duke treguar epërsi të qartë teknike dhe fizike.

Rexhepi u ndal vetëm në finale, ku u mposht ngushtë 0-1 nga sportistja e Portugalisë, pas një përballjeje shumë të fortë, duke siguruar medaljen e argjendtë për Shqipërinë.

Suksesi i parë për ekipin kuqezi erdhi një ditë më parë nga Neevis Hasani, i cili fitoi medaljen e bronzit në kategorinë e kadetëve -52 kg.

Shqipëria u përfaqësua në këtë Europian me 14 sportistë, nën drejtimin e trajnerëve Mirandi Backa, Lirim Dedej dhe Jetmir Rexhepi, në një kampionat ku morën pjesë rreth 1195 sportistë nga 46 shtete.

Ky është një rezultat i rëndësishëm për karatenë shqiptare, që po konfirmon rritjen e saj në arenën ndërkombëtare. 🥋🇦🇱