PARALAJMERIM/ “Rama në rreth të kuq në Europë” – Berisha ngre alarmin: – Integrimi i Shqipërisë në BE në rrezik për shkak të Ballukut dhe dosjes së AKSHI-t

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po vë në rrezik serioz procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar situatën si një kërcënim madhor për të ardhmen e vendit.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se sipas informacioneve që, sipas tij, vijnë nga kancelaritë europiane dhe nga Brukseli, emri i Ramës po trajtohet me “rreth të kuq”, duke nënkuptuar rritje të shqetësimit dhe mosbesimit ndaj tij në qarqet vendimmarrëse të BE-së.

Sipas ish-kryeministrit, Rama po sakrifikon interesin strategjik të vendit për integrimin europian për të mbrojtur veten dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, në lidhje me atë që ai e quan “dosja e AKSHI-t”. Berisha pretendon se qëndrimet e qeverisë në këtë çështje janë në kundërshtim me parimet kushtetuese, ligjore dhe demokratike që kërkohen nga procesi i integrimit.

Ai shtoi se, sipas burimeve që i cilësoi si serioze, në disa qarqe europiane po zhvillohen diskutime të gjera për situatën në Shqipëri, ku – sipas tij – nuk përjashtohet as mundësia e bllokimit apo zhbërjes së procesit të integrimit, si pasojë e kursit që po ndjek qeveria.

Berisha deklaroi se Rama, për të mbrojtur veten nga përgjegjësitë ligjore, nuk do të lejojë heqjen e imunitetit të Ballukut, pasi – sipas tij – çdo hetim ndaj saj do ta përfshinte drejtpërdrejt edhe kryeministrin.

Në fund, kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve që “të marrin në dorë fatin e vendit”, duke theksuar se sipas tij, qeveria aktuale nuk do të ndërmarrë hapa që mund të rrezikojnë pozitën e saj, edhe nëse kjo dëmton rrugën europiane të Shqipërisë.