Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një seri takimesh të nivelit të lartë në Kongresin Amerikan, duke e kthyer vizitën në Uashington në një ofensivë diplomatike për thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në fokus të bisedimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit shumëdimensional, nga siguria dhe mbrojtja, te investimet, energjia dhe infrastruktura. Spiropali u prit nga kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongres, Brian Mast, ku u theksua roli i dy vendeve si aleatë në NATO dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Në takimin me Kongresmenin Jimmy Patronis, u diskutua rritja e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët strategjikë të energjisë dhe infrastrukturës. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe projektit të Korridorit VIII, i cilësuar kyç për sigurinë dhe mobilitetin ushtarak të NATO-s në rajon.
Axhenda e kryediplomates së Edi Ramës përfshiu edhe takime me Kongresmenët Ritchie Torres – bashkëkryetar i “Albanian Caucus” – William R. Keating dhe Keith Self, ku u vlerësua mbështetja e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe roli i tyre në forcimin e institucioneve demokratike në rajon.
Vizita vijon në Senatin Amerikan, ku Spiropali pritet nga Senatorët Steve Daines, Gary Peters dhe Elissa Slotkin, me synimin për të riafirmuar Shqipërinë si partner të besueshëm të SHBA-ve.
Në ditët në vijim, ajo do të zhvillojë takime edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me drejtues të “The Heritage Foundation”, duke i dhënë një dorë shtrirjes së dialogut në nivelet më të larta politike dhe strategjike në Uashington.












