Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka refuzuar hapur të komentojë akuzat e Sali Berishës lidhur me dosjen e SPAK për AKSHI-n, duke theksuar se nuk mund të përfshihet në çdo deklaratë të politikës së brendshme shqiptare.
Gjatë konferencës vjetore, ku foli për situatën politike, integrimin europian dhe luftën kundër korrupsionit, Schieder u pyet nga gazetarët për denoncimet e kryedemokratit, i cili pretendon se një “strukturë kriminale” në AKSHI ka eksportuar informacione të ndjeshme të NATO-s drejt vendeve armiqësore.
Përgjigjja e tij ishte e prerë.
“Përgjigjja e parë dhe e shkurtër është jo. Së dyti, ju lutem mos më bëni pyetje për gjithçka që thotë Berisha dhe mos më shtyni të komentoj çdo gjë që thotë ai, sepse do të më duhet të dal nga roli im institucional,” deklaroi raportuesi i PE.
Me këtë qëndrim, Schieder la të kuptohet se Bashkimi Europian nuk e konsideron si shqetësim të konfirmuar akuzën e ngritur nga Berisha, ndërsa theksoi kufijtë e mandatit të tij institucional, duke shmangur përfshirjen në debatet e brendshme politike në Shqipëri.
Deklarata e tij vjen në një moment kur retorika politike në vend është përshkallëzuar, ndërsa çështjet që lidhen me sigurinë, SPAK-un dhe institucionet shtetërore po përdoren gjithnjë e më shumë në përplasjen mes palëve politike.
Deklarata e raportuesit të PE u interpretua si një distancim i qartë nga retorika politike dhe akuzat publike, duke nënvizuar se institucionet europiane bazohen në fakte zyrtare dhe procese ligjore, e jo në deklarata individuale politike.









