TAKIMI/ Osmani krah SHBA pa ekuivok – Kosova gati të marrë rol aktiv për paqen dhe sigurinë globale

Kosova po e vulos edhe një herë orientimin e saj strategjik. Presidentja Vjosa Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, në një moment kur Prishtina po synon të rrisë rolin e saj në skenën ndërkombëtare të sigurisë.

Sipas Presidencës, në qendër të bisedës ishte anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe zhvillimet e fundit politike e institucionale në vend. Osmani e bëri të qartë se rreshtimi i Kosovës përkrah Shteteve të Bashkuara ka qenë dhe mbetet zgjedhje strategjike, jo thjesht diplomatike.

Presidentja theksoi se Kosova i beson lidershipit të presidentit Donald Trump dhe është e gatshme të japë kontribut konkret në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë – një sinjal se Prishtina synon të jetë jo vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuese aktive.

Takimi preku gjithashtu çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe agjendën ndërkombëtare të presidentes në muajt e ardhshëm, duke konfirmuar se raporti Kosovë–SHBA vazhdon të jetë boshti kryesor i politikës së jashtme të vendit.