“ULTIMATUMI”/ Loja Rama-Berisha me Territorialen – Mazhoranca-opozitës: Hyni në komision të hënën ose e marrim drejtimin vetë!

Tensionet politike po ngjiten një nivel më lart, teksa Partia Socialiste paralajmëron hapur opozitën: nëse nuk paraqitet në mbledhjen e së hënës për reformën territoriale, shumica do të aktivizojë mekanizma për të marrë drejtimin e komisionit dhe për të ecur përpara pa të.

Sipas diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve, të raportuara nga gazetarja Eksiola Shehu, mbledhja e radhës e komisionit të posaçëm do të zhvillohet të hënën. Nëse Partia Demokratike merr pjesë, formula aktuale – si për drejtimin ashtu edhe për përbërjen – mbetet e pandryshuar.

Por mesazhi i shumicës ka qenë i prerë.

“Nëse opozita bojkoton edhe mbledhjen e ditës së hënë, do të vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do të bëhet, doni apo s’doni ju”, u është drejtuar deputetëve të opozitës Taulant Balla.

Debatet e forta u zhvilluan gjatë mbledhjes së kësaj të enjteje, ndërsa më herët PS i kishte dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku kërkonte shumicën dhe drejtimin e komisionit, me argumentin se opozita ka munguar rregullisht në katër mbledhje, duke bllokuar procesin.

Mesazhi politik është i qartë: ose opozita ulet në tryezë të hënën, ose reforma territoriale vazhdon me ritmin dhe drejtimin e shumicës. Një përplasje që paralajmëron një tjetër javë të nxehtë në Kuvend.