VENDIMI/ Shfryhet dosja 5D! – Apeli i GJKKO ua konverton burgun në shërbim prove 5 të pandehurve

Një zhvillim që ka tronditur skenën e drejtësisë: Apeli i GJKKO-së ka vendosur pezullimin e dënimeve me burg për pesë të pandehur në dosjen më të ndjekur për korrupsion në vend — dosja 5D.

Mes përfituesve është Englantina Zëre, e cila së bashku me Enkelejda Qytën, Bruno Koçin, Rivjola Baxhën dhe Kristo Zhulatin, do të kryejnë tani dënimin e tyre përmes shërbimit të provës për 12 muaj, duke shmangur burgun.

Dosja 5D, e njohur edhe si “5D Konstruksion”, ka përfshirë zyrtarë të lartë dhe biznesmenë, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre në administratën publike. Hetimet kanë zbuluar favorizime të dyshimtë ndaj kompanive në tenderë për projekte si rikonstruksioni i sheshit të parkimit te Selman Stërmasi.

Vendimi i Apelit është parë nga shumë ekspertë si një lëvizje surprizë në skenën e drejtësisë shqiptare, duke lënë të hapur debatet mbi ndikimin e dënimeve alternative për akuzat e korrupsionit të nivelit të lartë.

Ndërkohë, Redi Molla dhe Mariglen Qato, pjesë e të njëjtës dosje, mbeten nën hetim për mënyrën se si kanë drejtuar kompaninë “5D Konstruksion” dhe tenderët në shkelje të ligjit.