Osmani nga Davosi: Me udhëheqjen e SHBA-së, paqja është më e sigurt për botën dhe Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot në Davos Kartën e Bordit të Paqes, duke u bërë anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota e kësaj nisme ndërkombëtare, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një mesazh publik, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e lidershipit amerikan për sigurinë globale, duke nënvizuar se “kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt”.

Ajo vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të paqes, të udhëhequra nga aleati strategjik i vendit, forcon sovranitetin shtetëror, rrit pozicionin ndërkombëtar dhe i shërben interesit më të lartë të Republikës së Kosovës.

Presidentja bëri të ditur se marrëveshja e nënshkruar do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, në mënyrë që të marrë miratimin përfundimtar të përfaqësuesve të popullit.

Në fund, Osmani falënderoi Presidentin Donald Trump për lidershipin dhe ftesën për ta përfaqësuar Kosovën në këtë moment që ajo e cilësoi historik, duke theksuar se Kosova do të jetë gjithmonë në shërbim të paqes.k