SPAK akuzë Ramës: Kërkesa synon bllokimin e hetimit ndaj Ballukut – Pezullimi i zv/kryeministres nuk ka konflikt kompetencash

Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, ka sqaruar publikisht se në rastin e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut nuk ekziston asnjë konflikt kompetencash mes pushteteve, duke kundërshtuar pretendimet e ngritura nga kryeministri Edi Rama.

Sipas Prençit, për të pasur konflikt kompetencash duhet të plotësohen tre kritere ligjore: mosmarrëveshja të lindë mes organeve të pushteteve të ndryshme, të përfshijë organe që shprehin vullnetin e pushtetit të tyre dhe të lidhet me përcaktimin e sferës së kompetencave. “Në rastin konkret, asnjë prej këtyre kushteve nuk plotësohet”, theksoi ai.

SPAK vlerëson se kërkesa e kryeministrit për shfuqizimin e vendimeve të GJKKO mbi masën e sigurimit personal, apo për interpretimin e nenit 103, pika 3, nuk ka të bëjë me kontrollin kushtetues të ligjeve dhe nuk përbën konflikt kompetencash mes pushteteve.

Sipas prokurorit Prençi, ky pretendim nuk mund të përdoret për të bllokuar hetimin penal ndaj ministres, pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masës së pezullimit nga detyra janë kompetencë ekskluzive e SPAK dhe GJKKO. “Këto kompetenca nuk mund të cenohen nga ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv”, përfundoi ai.