DOSJET EPSTEIN/ Dhoma e Përfaqësuesve nis procedurat ndaj Bill dhe Hillary Clinton pas refuzimit për të dëshmuar

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara kanë ndërmarrë zyrtarisht hapa për nisjen e procedurave për shpërfillje të Kongresit ndaj Bill dhe Hillary Clinton, pasi ish-presidenti dhe ish-sekretarja e Shtetit refuzuan të paraqiten për dëshmi në hetimin parlamentar mbi çështjen Jeffrey Epstein.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, iniciativa ka gjetur mbështetje edhe nga disa ligjvënës demokratë në Komitetin Mbikëqyrës, duke e bërë procesin një zhvillim të rrallë me karakter dypartiak. Pas miratimit në komitet, çështja do t’i kalojë për votim seancës plenare të Dhomës së Përfaqësuesve.

Nëse procedura miratohet edhe në sallë, rasti do t’i referohet Departamentit të Drejtësisë, i cili mund të shqyrtojë ngritjen e akuzave penale për shpërfillje të Kongresit. Në këtë rast, Clintonët mund të përballen me gjoba deri në 100 mijë dollarë dhe dënim deri në një vit burg.

Ky hap shihet si një përshkallëzim i ndjeshëm i përplasjeve politike mes Clintonëve dhe administratës Trump, veçanërisht në kontekstin e debatit për publikimin e plotë të dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein.

Më herët, përfaqësuesit ligjorë të Bill Clinton kishin propozuar që ai të dëshmonte vetëm përpara dy drejtuesve të Komitetit, por kjo ofertë u hodh poshtë nga ligjvënësit, të cilët e konsideruan të papranueshme. Kryetari i Komitetit Mbikëqyrës, James Comer, u shpreh se kjo qasje tregon bindjen se mbiemri Clinton garanton trajtim të veçantë, duke theksuar se kërkesa e Kongresit është për dëshmi të betuara dhe të transkriptuara.

Ndërkohë, Ghislaine Maxwell, ish-bashkëpunëtore e Jeffrey Epstein, pritet të dëshmojë para Komitetit Mbikëqyrës dhe Reformës Qeveritare më 9 shkurt. Sipas kryetarit Comer, avokatët e saj kanë bërë të ditur se Maxwell ka gjasa të thirret në Amendamentin e Pestë, duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të ligjvënësve.