Një incident i rëndë është regjistruar pak më parë në lagjen “15 Tetori” në qytetin e Fierit, ku një burrë rreth 55 vjeç, mësues i gjuhës angleze, ka rrezikuar seriozisht jetën në banesën e tij.
Sipas të dhënave paraprake, 55-vjeçari ndodhej në apartamentin e tij së bashku me bashkëshorten, kur për shkaqe ende të paqarta ka rënë nga kati i gjashtë i pallatit, duke mbetur i varur në pjesën e jashtme të godinës.
Ngjarja ka shkaktuar panik te banorët e zonës, ndërsa situata kritike ka zgjatur disa minuta. Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë dy mjete zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shpëtimin e tij.
Në vend kanë mbërritur edhe forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë veprimet procedurale. I lënduari është transportuar me urgjencë me autoambulancën e shërbimit 127 drejt Urgjencës Kirurgjikale të Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Burime spitalore bëjnë me dije se 55-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.









