Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe shmangies së përshkallëzimit të tensioneve. Qëndrimi vjen pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave shtesë ndaj gjashtë vendeve të BE-së duke nisur nga 1 shkurti, në kuadër të deklaratave të tij për kontrollin e Grenlandës.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka kërkuar mbajtjen e një takimi urgjent të liderëve evropianë të enjten në Bruksel, me synim koordinimin e një përgjigjeje të përbashkët evropiane.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, Komisioneri Evropian për Tregtinë, Olof Gill, bëri të ditur se po zhvillohen konsultime intensive mes udhëheqësve të BE-së dhe presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen. Ai theksoi se një përshkallëzim i situatës do të kishte pasoja negative për konsumatorët dhe bizneset në të dy anët e Atlantikut.
I pyetur mbi mundësinë e vendosjes së tarifave kundër SHBA-së, Gill u shpreh se BE-ja disponon instrumentet e nevojshme dhe është e përgatitur të veprojë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike, nëse do të jetë e nevojshme.
Ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Evropian sqaroi se aktualisht nuk është planifikuar një takim mes Ursula von der Leyen dhe Donald Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, pa përjashtuar megjithatë mundësinë që një takim i tillë të zhvillohet.









