Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja serioze nëse regjimi vijon me vrasje dhe ekzekutime. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se ky mesazh i është përcjellë drejtpërdrejt autoriteteve iraniane.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij kanë qenë të qartë ndaj Teheranit, duke theksuar se çdo vazhdim i dhunës do të pasohet me masa të ashpra. Sipas saj, pala iraniane ka siguruar se ekzekutimet dhe vrasjet do të ndalen.
Leavitt shtoi se rreth 800 ekzekutime që ishin planifikuar të kryheshin një ditë më parë janë pezulluar, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Gjatë një konference për shtyp, ajo u pyet edhe për një transmetim të televizionit shtetëror iranian, i cili përmbante një mesazh të nënkuptuar kërcënues ndaj presidentit Trump, të shoqëruar me një imazh nga atentati i dështuar në Pensilvani.
“Për të qenë e sinqertë, nuk e kam parë atë pamje,” u shpreh Leavitt, duke shtuar se çështja do të shqyrtohet nga presidenti dhe ekipi i sigurisë kombëtare për vlerësim të mëtejshëm.









