DETAJET E PARA/ Zbulohen prapaskenat e takimit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë për Groenlandën

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar “sqarime” pas takimit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë mes sekretarit të Shtetit Marco Rubio, zëvendëspresidentit JD Vance, ministrit të Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen dhe përfaqësueses së Groenlandës, Vivian Motzfeld. Detajet e para mbi bisedimet u bënë publike nga delegacioni evropian gjatë një konference për shtyp të mbajtur jashtë ambasadës së Danimarkës në Uashington.

Sipas Rasmussenit, diskutimet kanë qenë “të hapura dhe konstruktive”, megjithatë palët mbeten të ndara lidhur me mënyrën se si duhet garantuar siguria afatgjatë e Groenlandës. Burime brenda delegacionit evropian kanë dhënë një panoramë më kritike, duke e përshkruar takimin si të vështirë, ndërsa qëndrimi i përfaqësueses së Groenlandës ka reflektuar pengesat serioze për arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.

Ministri danez theksoi se, ndonëse presidenti Trump ka shprehur qartë vizionin e tij, Danimarka mban një qëndrim të ndryshëm. “Ne besojmë se siguria e Groenlandës mund të garantohet përmes marrëveshjes së vitit 1951 dhe në kuadër të NATO-s. Çdo zgjidhje që cenon integritetin territorial të Danimarkës dhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit të Groenlandës është e papranueshme”, deklaroi Rasmussen, duke shtuar se palët kanë një mospajtim thelbësor, por janë dakord të mos bien dakord.

Sipas tij, hapi i ardhshëm do të jetë krijimi i një grupi pune që pritet të mblidhet në javët në vijim, me synimin për të gjetur një rrugë të përbashkët për menaxhimin e kësaj çështjeje, të cilën ai e cilësoi si një “ambicie personale” të Trump.

Delegacioni evropian kishte shkuar në Uashington me pritshmëri të ulëta dhe pa synimin për të ndryshuar pozicionin e administratës amerikane. Situata u komplikua më tej nga zhvendosja e takimit nga Departamenti i Shtetit në Shtëpinë e Bardhë dhe përfshirja e ekipit të zëvendëspresidentit JD Vance, e perceptuar si më pak e prirur ndaj dialogut dhe kompromisit.

Paralelisht, Trump kishte përgatitur terrenin për bisedimet përmes postimeve në rrjetin Truth Social, ku theksonte se NATO do të ishte më efektive nëse Groenlanda do të ishte nën kontrollin e SHBA-së dhe se nuk do të pranonte asnjë zgjidhje tjetër përveç marrjes së kontrollit të ishullit. Ai përmendi sërish kërcënimet nga Rusia dhe Kina, duke i bërë thirrje NATO-s për veprim.

Rasmussen reagoi më vonë, duke kundërshtuar narrativën amerikane dhe duke sqaruar se shërbimet daneze të inteligjencës nuk kanë evidentuar prani kineze në ato ujëra prej dekadash.

Pas përfundimit të takimit dyorësh, nga Zyra Ovale Trump përsëriti se “nuk do të heqë dorë nga asnjë opsion” lidhur me Groenlandën dhe shprehu dyshime mbi aftësinë e Danimarkës për të garantuar e vetme sigurinë e ishullit.

Ende nuk është bërë e ditur se çfarë propozimi konkret kanë paraqitur Shtetet e Bashkuara. Burime amerikane flasin për një ide të JD Vance për blerjen e pjesës veriore të Groenlandës, me qëllim bllokimin e aksesit rus dhe kinez në Arktik, ndërsa pjesa tjetër do të mbetej nën administrimin evropian. Sipas NBC, një studim i akademikëve dhe ish-zyrtarëve amerikanë vlerëson koston e blerjes së gjithë ishullit në rreth 700 miliardë dollarë.

Ndërkohë, sipas gazetës Bild, Gjermania pritet të dërgojë në ditët në vijim 13 ushtarë në Groenlandë për të vlerësuar kushtet e një kontributi të mundshëm ushtarak në mbështetje të Danimarkës. Edhe Franca pritet t’i bashkohet misionit të udhëhequr nga Danimarka, Suedia dhe Norvegjia për forcimin e sigurisë në ishull.