REFUZIMI/ U ftuan në një tryezë bashkëpunimi kundër qeverisë – “Mundësia” asnjë mundësi Berishës: Nuk mund të ulemi me të akuzuarit për korrupsion

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka komentuar ftesën e Partisë Demokratike dhe të kreut të saj, Sali Berisha, drejtuar partive politike për t’u ulur në një tryezë bashkëpunimi kundër qeverisë së Partisë Socialiste.

Kapri u shpreh se Partia Mundësia nuk mund të jetë pjesë e një tryeze ku, sipas tij, drejtuesit kryesorë janë figura të akuzuara për korrupsion.

Ai përmendi konkretisht emra si Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu, duke theksuar se mungesa e besueshmërisë në luftën kundër korrupsionit e bën të pamundur një bashkëpunim të tillë.

“Nuk mund të ulemi në një tryezë ku krerët e saj janë të akuzuar për korrupsion. Ne e shohim korrupsionin si problemin kryesor në Shqipëri sot dhe pa besueshmëri në këtë aspekt, nuk mund të na kenë nga pas qytetarët”- tha Kapri gjatë një interviste televizive.