Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se vendi ka hyrë në një “tempo të re” sa i përket sigurimit të njohjeve të reja për vendin dhe se në pjesën e parë e vitit 2026 do të ketë “lajme të mira” për vendin sa i përket njohjeve të reja.
“Jemi shumë afër që të arrijmë 2/3 e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ajo.
Osmani ka refuzuar të përmendë publikisht emrat e shteteve mosnjohëse me të cilat Kosova ka kontakte, meqë ky proces mund të pengohet nga Serbia.
“Ka shume shtete që janë afër marrjes vendimit, por mos të harrojmë se mund t’i dëmtojmë interesat e shtetit të Kosovës nëse flasim për këto shtete publikisht. Kjo pastaj po e nxit Serbinë dhe shtetet e tjera që të angazhohen shpeshherë edhe me mjete jashtë diplomacisë edhe me mjete të ndryshme të presionit që të bllokojnë këtë proces të pakthyeshëm për Kosovën”, shtoi ajo.
Bahamas u bë shteti i 121-të që e njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Më herët, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, si dhe Siria nga Lindja e Mesme.









