Gjykata Kushtetuese ka përgënjeshtruar deklaratat publike të bëra së fundmi nga “aktorë të ndryshëm”, të cilat lidhen me mënyrën e votimit dhe vendimmarrjen për pezullimin e zbatimit të vendimeve të GJKKO-së që kishin caktuar masën ndaluese “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike” ndaj Belinda Ballukut.
“Këto deklarata janë tërësisht të pavërteta”, thuhet në reagimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata sqaron se çështja është ende në proces shqyrtimi dhe se më 22 janar 2026 do të zhvillohet një seancë plenare publike, ku do të dëgjohen palët e përfshira, përfshirë Kryeministrin, Presidentin, Kuvendin, SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme.
“Për të garantuar një proces të rregullt dhe për të shmangur çdo paragjykim, ftohen të gjithë aktorët të tregohen të matur në deklaratat e tyre publike”, thekson instanca më e lartë e drejtësisë.
Në reagim, Kushtetuesja bën thirrje që debati publik të mos shndërrohet në sulm ndaj gjyqtarëve individualë apo institucionit, duke paralajmëruar se komente të tilla dëmtojnë besimin e publikut dhe pavarësinë e drejtësisë.
“Vendimmarrjet gjyqësore nuk duhet të ndikohen nga keqinformimi, pavarësisht se nga cili subjekt vjen ai”, thuhet më tej në deklaratë.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese riafirmon angazhimin e saj për transparencë, respekt të procedurave ligjore dhe pavarësi, duke kërkuar respektim të autoritetit të saj deri në përfundimin e procesit.









