Kremlini ka rikonfirmuar refuzimin për një armëpushim për Krishtlindje në Ukrainë, pasi kancelari gjerman, Friedrich Merz i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin të ndalojë luftimet gjatë festës.
“Ne duam paqe, nuk duam armëpushim”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke argumentuar se armëpushimi për Krishtlindje do t’i lejonte Ukrainës të merrte frymë dhe të përgatitej për të vazhduar luftimet.
Ai tha se Rusia donte t’i jepte fund luftës dhe të arrinte objektivat e saj.
Merz i bëri thirrje dje presidentit Putin, pasi diplomatët ukrainas, evropianë dhe amerikanë u mblodhën në Berlin për bisedime mbi një zgjidhje për paqen në Ukrainë.
Në një deklaratë dje në mbrëmje, udhëheqësit evropianë bënë thirrje për krijimin e një force shumëkombëshe për të siguruar armëpushimin në Ukrainë. Përfaqësuesit rusë nuk ishin të pranishëm në bisedimet e Berlinit.









