Kylian Mbappé ka arritur të fitojë procesin gjyqësor ndaj Paris Saint-Germain, duke përfituar një dëmshpërblim prej rreth 60 milionë eurosh.
Marrëdhënia mes fituesit të Kupës së Botës 2018 dhe klubit francez u acarua në vitin 2023, kur sulmuesi vendosi të mos e rinovonte kontratën e tij, e cila skadonte në verën e vitit 2024, përpara transferimit të tij te Real Madrid.
Një gjykatë pune në Paris vendosi se PSG duhet t’i paguajë Mbappé-së më shumë se 60 milionë euro, në kuadër të një mosmarrëveshjeje që lidhej me paga dhe bonuse të papaguara pas përfundimit të kontratës së tij.
Avokatët e palëve u përballën muajin e kaluar para Conseil de prud’hommes de Paris. Mbrojtja e Mbappé-së pretendonte se PSG i detyrohej mbi 260 milionë euro, ndërsa klubi francez kërkonte 440 milionë euro dëmshpërblim nga lojtari, duke argumentuar dëmet e shkaktuara nga largimi i tij si transferim i lirë.
Përfaqësuesit e Mbappé-së deklaruan se vendimi “konfirmon se angazhimet duhet të respektohen dhe rikthen një të vërtetë të thjeshtë: edhe në industrinë profesionale të futbollit, ligji i punës zbatohet për të gjithë”.
Nga ana tjetër, PSG nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm pas vendimit të gjykatës.









