FORMULA 1/ Marrëdhënia me Hamilton – Ferrari këmbëngul se raporti nuk është aq i keq sa duket.

Ferrari vazhdon të mohojë se ka tensione mes Lewis Hamilton dhe skuadrës pas një sezoni të parë të vështirë së bashku në Formula 1.

Sipas shefit të inxhinierisë së pistës tek Ferrari, Matteo Togninalli, marrëdhënia mes Hamilton dhe ekipit është shumë më pak e tendosur nga sa perceptohet nga jashtë, edhe pse skuadra pranon se ka nënvlerësuar periudhën e përshtatjes që nevojitej nga të dyja palët.

“Mendoj se ajo që shihet nga jashtë është shumë më keq nga sa është realisht. Marrëdhënia me Lewisin, ajo që po ndërtojmë me të, është jashtëzakonisht pozitive.

Ai kaloi 10 vite në të njëjtën skuadër, me të njëjtët njerëz, dhe pas vetëm 10 muajsh, besoj se tashmë kemi krijuar një lidhje shumë, shumë të fortë me të.”, tha Togninalli.

Hamilton iu bashkua Ferrarit këtë vit pasi kaloi 12 sezone te Mercedes.