Sipas CNN Greece, pikat e bllokimit në akset rrugore në Greqi e kalojnë numrin 80, ndërsa nga e mërkura mobilizimet do të përshkallëzohen me bllokimet e Urës Rio-Antirio në Patras dhe portit të Volosit. Ai i Selanikur synohet të bllokohet të premte.
Dy akset rrugore Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, Rruga Kombëtare Athinë-Selanik dhe Autostrada Egnatia, vazhdojnë të jenë të mbyllura ndërsa kalimet kufitare hapen dhe mbyllen herë pas here përfshirë atë të Kakavijës ku kalojnë shqiptarët.
Kujtojmë se pasditen e djeshme fermerët në kretë u përplasën me policinë dhe hynë brenda aeroportit në Heraklion.
Ndërkohë qeveria është duke përgatitur një “paketë” masash të cilën mund t’ua paraqesë fermerëve në rast takimi javën e ardhshme. Ku përfshihet mundësia e ripërcaktimit të sasive të naftës bujqësore për kulturë bujqësore dhe zgjerimi i programit që garanton një çmim të ulët të energjisë elektrike prej 9.2 cent/kWh.
Protestat e fermerëve grekë kanë nisur pas skandalit me subvencionet europiane, me të cilat abuzohej në mijëra dosje nga fermerë dhe zyrtarë grekë, çka çoi në pezullimin e lëvrimit të fondeve.









