PROTESTA/ Ulur në një karrige i zë vendin Sali Berishës para kryeministrisë – i mbetur jashtë Kuvendit, Lapaj kaloi natën poshtë zyrës së Ramës: Ka qenë ftohtë…

Ndryshe nga “Foltorja” dhe protestat e Berishës, ku çdo të hënë para Kryeministrisë mblidhen mbështetësit për të dhënë deklarata dhe për t’u larguar, Adriatik Lapaj ka zgjedhur një qasje tjetër, duke vendosur të qëndrojë përballë zyrës së Edi Ramës gjatë gjithë natës.

Pas 12 orësh pranë kryeministrisë, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” iu bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me protestën e tij. Lapaj u bëri apel qytetarëve, veçanërisht të rinjve, që të jenë çdo ditë në orën 5 pasdite përpara institucionit të kryeministrisë, për të protestuar kundër qeverisë.

Ai theksoi se nata e parë ka kaluar dhe protestat do të vazhdojnë, duke shpresuar që sa më shumë njerëz të bashkohen. Sipas tij, studentët që Rama i ka mashtruar më parë duhet të reagojnë, ndërsa të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga qeverisja e tij, fermerët e përmbytur dhe qytetarët që janë ndjerë të tradhtuar, duhet të angazhohen për të kundërshtuar një pushtet që sa më shumë vjedh, aq më shumë forcohet.

“Kaloj nata e parë. Jam këtu te Kryeministria protesta vazhdon, kanë ardhur kanë ikur miq, në orën 5 pasdite sot dhe çdo ditë do mblidhemi këtu. Uroj të jenë sa më shumë dhe të shtohemi sa më shumë. Ishte pak ftohtë sot por ishte përballueshmme.

Ju përshëndes, sigurisht që duhet një shkëndije për ta ndezur reagimin popullor, studentët që Rama i gënjeu dhe mashtroi pak vite më parë do të duhen të reagojnë përballë tij, siç reagojnë studentët në çdo vend. Ata që u kanë shkaktuar dëme me mënyrën e qeverisjes së tij do të duhet të dalin për veten e tyre. Ata që u prenë besë në Theth, fermerët që u përmbytën. të gjithë duhet të jenë në një mënyrë të angazhuar për të reaguar përballë një pushteti që sa më shumë vjedh aq më shumë forcohen”, tha Lapaj.