NEGOCIATAT/ SHBA nuk heq dorë nga arritja e oaqes – këmbëngul që Ukraina të tërhiqet nga Donetsku pa luftë

Politico shkruan se Washingtoni po nxit Kievin të pranojë dorëzimin e territorit që Rusia nuk ka arritur ta marrë me forcë gjatë viteve të luftës

Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë t’i shtyjnë autoritetet ukrainase që të pranojnë tërheqjen nga pjesët e mbetura të pa-okupuara të Donetsk-ut, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës, raporton Politico.

Duke cituar një zyrtar evropian të përfshirë në diskutimet diplomatike, Politico shkruan se Washingtoni po nxit Kievin të pranojë dorëzimin e territorit që Rusia nuk ka arritur ta marrë me forcë gjatë viteve të luftës.

“Në çështjen territoriale, amerikanët janë të qartë: Rusia kërkon që Ukraina të heqë dorë nga territoret, dhe ata po përpiqen të gjejnë mënyrën si ta bëjnë këtë realitet. SHBA-të insistojnë që Ukraina duhet ta lërë Donbasin, në një mënyrë apo tjetër”, citohet të ketë thënë burimi.

Ndërkohë, Ukraina këmbëngul se çdo “ngrirje” e frontit duhet të ndodhë në vijën aktuale të luftimeve.

Negociatorët ukrainas po përpiqen t’i shpjegojnë Washington-it se një dorëzim i menjëhershëm i territorit do të dërgonte sinjal të gabuar për Kremlinin, duke e inkurajuar presidentin rus Vladimir Putin të zgjerojë më tej agresionin.

Raportimi vjen ndërsa Kievi ndien rritje të presionit amerikan për të përshpejtuar procesin diplomatik, në një kohë kur edhe burime të AFP-së kanë folur për pritshmëri të larta nga administrata amerikane që një marrëveshje të arrihet sa më shpejt.

Një zyrtar ukrainas, i cituar në raportimet e Politico-s, ka theksuar se mbetet e paqartë nëse SHBA-të do të bëjnë rolin e një ndërmjetësi neutral apo do t’i afrohen më shumë pozicionit rus.