APELIMI/ U dënua me 27 vite burg, avokatët e presidentit Jair Bolsonaro – ankimojnë vendimin dhe kërkojnë daljen nga qelia 

Avokatët e ish-presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro, paraqitën një apel të ri të premten duke kërkuar anulimin e dënimit të tij me 27 vjet burg, për komplot grusht shteti. Mbrojtja po kërkon “anulimin e procesit penal” dhe që Bolsonaro të lirohet nga akuzat, tre ditë pasi Gjykata Supreme e urdhëroi të fillonte vuajtjen e dënimit.

Jair Bolsonaro u gjykua dhe u dënua nga një seksion prej pesë anëtarësh i Gjykatës Supreme me një votim 4-1.

Tani avokatët e tij po i bëjnë apel gjykatës së plotë me 11 anëtarë që ajo të rrëzojë gjyqin e tij, duke përmendur atë votë të vetme fillestare kundër dënimit si bazë për apelin e ri. Një apel i mëparshëm është rrëzuar.

“Dënimi i padrejtë i dhënë ndaj Jair Messias Bolsonaros”, thuhet në peticionin e mbrojtjes, “duhet t’i paraqitet shqyrtimit të Dhomës së Plotë të Gjykatës Supreme Federale në mënyrë që, në fund, pafajësia e tij të njihet dhe të deklarohet”.

70-vjeçari u dënua në shtator për një skemë për të ndaluar Luiz Inacio Lula da Silva të merrte detyrën si president pas fitores në zgjedhjet e vitit 2022. Plani përfshinte një komplot për të vrarë veteranin e majtë.

Prokurorët thanë se skema dështoi vetëm për shkak të mungesës së mbështetjes nga drejtuesit e lartë ushtarakë.

Jair Bolsonaro kishte qenë në arrest shtëpiak deri të shtunën e kaluar, kur u ndalua në selinë e policisë në kryeqytetin Brasilia për manipulim të monitorit të kyçit të këmbës duke përdorur një hekur saldimi.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes tha se kishte shenja se Bolsonaro po planifikonte të arratisej gjatë një ngjarje të planifikuar të organizuar nga djali i tij jashtë shtëpisë.

Gjykatësi tregoi vendndodhjen e ambasadës amerikane aty pranë dhe marrëdhënien e ngushtë të Bolsonaros me Trumpin, duke sugjeruar se ai mund të jetë përpjekur të arratiset për të kërkuar azil politik. Ish-presidenti është ndaluar që atëherë në selinë e policisë, në një dhomë të pajisur me televizor, mini-frigorifer dhe ajër të kondicionuar.