PERKEQESIMI I MOTIT/ Zv/kryeministrja nën hetim për korrupsion, Belinda Balluku, jep alarmin për gatishmëri mes institucioneve: S’do t’i lëmë vetëm bashkitë 

Duke nisur nga mbrëmja e së hënës deri të enjten, vendi pritet të përfshihet nga një përkeqësim i ndjeshëm i motit, me reshje të dendura dhe erëra të forta në të gjithë territorin.

Për këtë arsye, zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukutrës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi këtë të hënë një takim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ku u diskutuan masat për përballimin e situatës së motit.

Ajo nënvizoi se moti i keq pritet të nisë në orët e vona të së hënës, fillimisht në veri e më pas në verilindje, duke theksuar se që prej 11 nëntorit ka nisur ulja e niveleve në basenin e Komanit dhe atë të Vaut të Dejës për të krijuar hapësira të lira në prita.

“Ky takim është thirrur për shkak të situatës dhe parashikimeve të institucioneve shtetërore të specializuara sa i përket situatës së motit. Shqipëria do të përfshihet nga reshje dhe erë të fortë. Pritet që kjo insuatë të nisë në orët e vona të natës së sotme, por nga ora 1 e mbrëmjes do të kemi një agravim të situatës i cili nis nga veriu, pastaj do të kalojë në verilindje. Ju bëj me dije se duke nisur nga data 11 nëntor ka filluar të ulë nivelit në Koman dhe Vaun e Dejës për të krijuar volume të lira”, tha Balluku teksa më pas kërkoi bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha institucioneve dhe shkëmbim të vazhdueshëm informacioni, duke vënë në dukje se situata meteorologjike është dinamike për shkak të lëvizjes së fronteve të erës.

Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, bëri të ditur se data 18 nëntor do të shoqërohet me reshje intensive në të gjithë vendin, me fokus të veçantë në qarkun e Gjirokastrës.

Ai theksoi se strukturat shtetërore, nga Forcat e Armatosura te Policia, zjarrfikëset dhe shërbimet e tjera emergjente, janë vendosur në gatishmëri të plotë, ndërsa prefekturat e Fierit dhe Vlorës janë paralajmëruar për një intensifikim të mundshëm të situatës.

“Data 18 pritet të ketë një intensitet të shtuar. Pritet që reshjet të jenë intensive dhe të përshkruajnë gjithë territorin. Intensiteti në Gjirokastër pritet që të jetë më i lartë. Në këto kushte kemi thirrur në gatishmëri edhe prefekturat e Fierit dhe Vlorës. Kapacitetet në nivel kombëtar janë në gatishmëri, FA, Policia, zjarrfikësja dhe të gjitha strukturat e tjera. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj për të qenë prezent në të gjitha momentet kur qytetarët do të kenë nevojë. Do të bëjmë njoftime rast pas rasti për të gjithë situatën që do të prevalojë”, tha Çako.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se gjatë fundjavës është hartuar plani për shpërndarjen dhe pozicionimin e mjeteve e aseteve të domosdoshme, me qëllim që pritat lumore të mbahen nën kontroll dhe zonat e rrezikuara të kenë akses të hapur për ndërhyrje të shpejtë. Ai theksoi se koordinimi në kohë reale do të jetë thelbësor, pasi pritet një përpjekje disa-ditore për menaxhimin e reshjeve.

“Që gjatë fundjavës, kemi bërë një plan shpërndarjeje të të gjitha aseteve, mjeteve që të kryejnë veprimet parandaluese, qoftë prita lumore, qoftë për të hapur aksesin në mënyrë që ujërat që do të vërshojnë në ditët në vijim të jenë të kontrolluara.  Besoj se do jemi në kushte gatishmërie maksimale. Do jetë një përpjekje e shtrirë disa ditore e reshjeve ndaj dhe koordinimi në kohë reale është i domosdoshëm në mënyrë që mos kemi asnjë zonë të pambuluar qoftë me mjete qoftë me mjete të reagimit të shpejtë. Nuk do lëmë asnjë bashki vetëm përkundrejt këtij rreziku”, tha ai.