Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur deklaratës së Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e cila këtë të martë në Bruksel vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Në fjalën e saj, Kos theksoi se “Shqipëria ka bërë përparim të paprecedentë”, duke e cilësuar këtë si “një rezultat të jashtëzakonshëm dhe një njohje të qartë të angazhimit të vendosur politik të Shqipërisë dhe aspiratave të qarta të shoqërisë së saj drejt BE-së”.
Duke e ndjekur me vëmendje fjalën e saj nga Tirana, kryeministri Rama shprehu mirënjohjen dhe vendosmërinë për të vijuar rrugëtimin evropian.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social “X”, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se vendi ynë do të vijojë të punojë fort që të arrijë të ulet si e barabartë në tryezën e Bashkimit Europian.
“Po, e bëmë! Dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për t’u ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. Le të vazhdojmë, të ecim përpara, së bashku,” shkroi Rama.
Deklarata e kreut të qeverisë vjen në një moment kur Shqipëria po përgatitet për fazat e ardhshme të negociatave të anëtarësimit, me pritshmëri të larta për një intensifikim të procesit gjatë muajve në vijim.
Kujtojmë se kryeministri Rama nuk mori pjesë në Samitin e Zgjerimit të BE-së, i cili po mbahet ditën e sotme në Bruksel, mes liderëve europianë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.









