DOREHEQJA/ “Nuk mund të vazhdoj më” – 1 vit pas përmbytjeve vdekjeprurëse presidenti rajonal i Valencias njofton largimin nga detyra – shkak zemërimi popullor

Presidenti i rajonit autonom të Valencias, Carlos Mathon, njoftoi dorëheqjen e tij të hënën, pas presionit të fortë politik dhe zemërimit masiv publik për keqmenaxhimin e tij të përmbytjeve vdekjeprurëse që vranë 229 persona një vit më parë.

Mathon, një anëtar i Partisë Popullore konservatore (PP), i kishte rezistuar thirrjeve që ai të jepte dorëheqjen për muaj të tërë, pavarësisht zbulimeve se gjatë përmbytjeve, ndërsa banorët po mbyteshin në shtëpitë, garazhet dhe makinat e tyre, ai qëndroi për më shumë se tre orë në një drekë me një gazetar.

Këmbëngulja e tij për të mos dhënë dorëheqjen shkaktoi një valë zemërimi në të gjithë Valencian, me mijëra demonstrues që mbushën rrugët nën sloganin “Baltë në duart tona, gjak në duart e tij”. Sipas një sondazhi, 75% e banorëve të rajonit po bënin thirrje që ai të jepte dorëheqjen.

Më në fund, të hënën, Mathon iu nënshtrua presionit dhe njoftoi se po largohej nga presidenca e rajonit.

“Nuk mund të vazhdoj më”, u tha ai gazetarëve pas fjalimit të tij, në të cilin kritikoi ashpër qeverinë e Madridit për trajtimin e krizës.

Ai nuk sqaroi nëse do të thërriste zgjedhje të parakohshme, apo nëse do të jepte dorëheqjen edhe nga parlamenti rajonal – gjë që do ta privonte nga imuniteti parlamentar – apo kush do ta pasonte përkohësisht.

Ai kishte argumentuar se “asnjë qeveri në botë nuk ka mjetet për të parandaluar një fenomen reshjesh intensive që thyen rekorde historike”.