Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Identikiti”, duke arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë veprash penale, përfshirë tentativë për grabitje me armë, mbajtje pa leje të armëve dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Komisariatin nr. 4 Tiranë.
Në bazë të informacioneve operative, shërbimet policore lokalizuan dhe ndaluan të dyshuarin në lagjen “5 Maji” të Tiranës, ndërsa udhëtonte me një automjet tip Audi.
Në pranga përfundoi Fatjon Bruçi (alias Bruci), 29 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Shkodrës kishte caktuar që më 30 shtator masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me armë, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”.
Grabitja e dështuar në Shkodër
Sipas Policisë, më 29 gusht 2025, Bruçi kishte tentuar të grabiste një argjendari në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës.
I maskuar dhe i armatosur, ai kishte hyrë në biznes, por grabitja mbeti në tentativë pas ndërhyrjes së menjëhershme të policisë.
Droga, armë dhe para të falsifikuara në banesën e tij
Gjatë ndalimit, Policia i gjeti të dyshuarit një sasi të lëndës narkotike Cannabis Sativa, ndërsa kontrolli në banesën me qira në Tiranë çoi në sekuestrimin e:
- 1 arme zjarri pistoletë,
- 2 maska silikoni,
- municion luftarak,
- 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike,
- 550 dollarë të falsifikuara,
- një shumë parash dhe aksesorë të tjerë,
- 2 automjete dhe një celular.
Bashkë me të ndaluarin ndodheshin në automjet edhe Xhonatan Deliu, 21 vjeç dhe Enri Elezi, 19 vjeç, të cilët u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Shtetit thekson se operacioni “Identikiti” është pjesë e strategjisë për goditjen e krimit të organizuar, duke paralajmëruar aksione të tjera për kapjen e personave në kërkim dhe çmontimin e rrjeteve kriminale në të gjithë vendin.









