Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani i është përgjigjur akuzave të opozitarëve sa i përket hipotezave të ngritura lidhur me dekonspirimin e operacionit “Ura” dhe kohën e ndërhyrjes së strukturave ligjzbatuese.
Oerd Bylykbashi ka ngritur shqetësime mbi vonesat në hetime dhe ndërhyrjen e vonuar, duke pretenduar se nëse operacioni do të ishte kryer dhjetë ditë para zgjedhjeve, rezultati në qarkun e Durrësit mund të kishte qenë ndryshe.
Ai theksoi se nga 52 masat e sigurisë të shpallura, vetëm një pjesë e kufizuar përfundoi në Gjykatë, ndërsa emrat më të rëndësishëm arritën të shmangin arrestimin, mes tyre edhe Elvis Doçi, i njohur ndryshe dhe si “Visi i Pojës”.
“Veprimi për operacionin URA pse u vonua? I cili nëse do të kishte pasur ndërhyrje 10 ditë përpara zgjedhjeve unë ju garantoj që në qarkun e Durrësit rezultati do të ishte tjetër. Patët 52 masa sigurie dhe vetëm një numër i kufizuar u ccua përpara Gjykatës dhe më kryesorët ikën, pse u vonuan hetimet? Pse u vonua fillimi i operacionit dhe a u dekonspirua ky operacion”, tha Bylykbashi.
Ndërkohë, që nga ana tjetër kreu i SPAK sqaroi se kërkesat për masa e sigurimit ishin bërë që në muajin mars 2025 dhe vendimi përkatës u dha rreth datës 5-6 maj. Ai shpjegoi se operacioni është koordinuar ndërkombëtarisht, pasi shumica e të dyshuarve ndodheshin në Itali dhe data e zbatimit u fiksua më 21 maj. Dumani theksoi se arrestimet nuk janë përgjegjësi direkte e SPAK, por e Policisë së Shtetit, pasi SPAK vetëm lëshon urdhrat përkatës.
“Sa i takon operacionit URA, e kam deklaruar edhe më parë publikisht prokuroria e posaçme ka bërë kërkesën për caktim mase sigurimi në muajin mars të vitit 2025, vendimi i caktimit të masës është dhënë diku nga data 5-6 maj. Dhe të njëjtën është komunikuar me kolegët tanë anëtarë të Bairit Është koordinuar takim në Shqipëri më 7 maj dhe ata kishin punë përgatitore sepse shumica e autorëve u arrestuan në Itali dhe u fiksua data 21. Pse nuk u arrestuan? Arrestimin e di shumë mirë sepse nuk është detyra e SPAK të arrestojë njerëz, SPAK nxjerr urdhrin dhe ngarkon Policinë e Shtetit S’mund të na i ngarkosh ne përgjegjësinë”, tha SPAK.
Kujtojmë se në 21 maj SPAK lëshoi 52 masa sigurie ndërsa u ekzekutuan 42 prej tyre. Në total, u proceduan 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale, njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali.
Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, u dokumentuan 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë.
Siç dhe raportuam më herët masat e sigurisë u lëshuan në disa qytete, përfshirë dhe dy qytetet bregdetare, Durrësin e Vlorën. Një urdhër arrest u lëshua edhe ndaj Elvis Doçin, i njohur në Durrës si Visi i Pojës.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni të madh kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës u ndalua dhe Ligor Çombashi, pronar i agjencisë së udhëtimit “Ligori Travel”.
Ky operacion u udhëhoq nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit, Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Tiranë dhe Policisë Shqiptare, me urdhër të Drejtorisë së Distriktit Antimafia të Barit dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, nën koordinimin e Eurojust-it (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.
Ndërkohë në një konferencë krah Dumanit dhe prokurorëve italianë, Proda hodhi poshtë akuzat për dekonspirim duke theksuar se Policia u përfshi në fund të finalizimit të operacionit “Ura”. Proda u shpreh se policia nuk ka pasur në mbikëqyrje të fshehtë fizike apo vëzhgim asnjë personazh të këtij grupi kriminal.
“Policia e Shtetit është përfshirë vetëm dje në fazën e ekzekutimin e vendimeve penale dhe nuk ka pasur mbikëqyrje të fshehtë fizike apo vëzhgim asnjë personazh të këtij grupi kriminal. Sa i përket pjesës së dekonspirimit për mua nuk ka pasur asnjë problem”, tha Ilir Proda në konferencën e mbajtur më 21 maj.









