INCIDENTET/ Kryediplomati i Kremlinit, Lavrov reagon pas tensioneve të rritura: NATO dhe BE-ja i kanë ‘shpallur luftë’ Rusisë përmes Ukrainës 

Kryediplomati rus, Sergey Lavrov, deklaroi në një takim të ministrave të Jashtëm të G20 më 25 shtator se NATO-ja dhe Bashkimi Evropian “i kanë shpallur luftë” Rusisë, përmes përfshirjes së tyre në Ukrainë.

Këto deklarata vijnë mes tensioneve të rritura midis Rusisë dhe NATO-s, pas disa shkeljeve të hapësirës ajrore të Aleancës nga dronë dhe avionë luftarakë rusë.

Kryediplomati rus përsëriti narrativën e kahershme të Kremlinit, se Perëndimi e ka provokuar luftën në Ukrainë dhe tha se NATO dhe BE-ja tashmë kanë kaluar nga mbështetja e tërthortë në përfshirje të drejtpërdrejtë, duke i bërë palë në luftë.

Këto komente pasojnë një deklaratë të ngjashme të zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, më 15 shtator, i cili tha se NATO është në luftë me Rusinë, për shkak të mbështetjes ushtarake të vazhdueshme për Kievin.

Deklaratat e Peskovit erdhën disa ditë, pasi Polonia rrëzoi dronë rusë, që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore.

Pas disa shkeljeve të ngjashme në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, Presidenti amerikan Donald Trump tha se aleatët duhet të rrëzojnë çdo avion rus, që shkel hapësirën e tyre ajrore – një qëndrim i mbështetur edhe nga disa zyrtarë evropianë.

Në përgjigje, ambasadori rus në Francë, Alexey Meshkov, paralajmëroi më 25 shtator se veprime të tilla nga NATO do të përbënin “luftë” ndaj Rusisë.

Më 10 shtator, Polonia rrëzoi të paktën tre dronë rusë, që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, ndërsa disa ditë më vonë, Rumania raportoi se një dron rus fluturoi mbi territorin e saj për gati një orë.

Më 19 shtator, Estonia akuzoi Rusinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore me tre avionë luftarakë MiG-31, të cilët qëndruan në hapësirën ajrore estoneze për 12 minuta.

Rritja e numrit të shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia dhe provokimet e tjera në territorin e NATO-s, përfshirë edhe fushatat e dezinformimit, kanë shtuar shqetësimet në Perëndim për rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë ushtarak nga ana e Rusisë.